Bie nje autobus me nxenes ne rrugen Sarande-Himare. Autobuzi ka targe te Elbasanit, rredh 50 nxenes ne autobuz , Dyshohet per viktima :
Vendi ku eshte rrezuar eshte ne Qafes se Vishes.
Por misteri tani sapo fillon ketu:
Aksidenti në të njëjtin vend para 23 vitesh mori 23 jetë njerëzish
Në fund të nëntorit 1989, një aksident i rëndë ndodhi në zonën ku ndodhi edhe aksidenti i sotëm. Edhe atëherë ishin studentë që po udhëtonin në autobus. Nga aksidenti pati dy të vdekur, por tragjedia u rëndua kur dy helikopterë që erdhën për të marrë të plagosurit u rrëzuan për shkak të motit të keq.
Një raport u përgatit nga Ministria e Brendshme. Raporti është publikuar së fundmi nga Panorama. Në raport thuhet se autobusi kishte bërë kontrollet teknike përpara se të nisej dhe nuk kishte pasur probleme. Por aksidenti erdhi si pasojë e një defekti në sistemin e frenimit. Ndërkohë në raport thuhet se shkak për rrëzimin e helikopterëve ishte moti i keq, mokoordinimi pasi zona e Himarës nuk ishte e mbuluar me radiondërlidhje dhe mostrajnimi i helikopterëve.
Më poshtë pjesë nga raporti:
“Në datën 22.11.1989 autobusi tip prodhim i Shkodrës i Institutit të Lartë Bujqësor, që drejtohej nga shoferi Ali Omuri, është nisur nga Himara në drejtim të qytetit të Sarandës rreth orës 13.00. Në autobus ndodheshin 3 pedagogë të asaj shkolle, 14 studentë të kursit të pemëtarisë, si dhe një ushtar pasagjer. Në orën 14:00 në afërsi të fshatit Kudhës, ku rruga është dishezë e theksuar, 100 metër para një kthese të fortë, shoferi ka bërtitur duke thënë: “U morëm në qafë”. Ndërkohë makina ka rritur së tepërmi shpejtësinë. Në kthesë shoferi nuk mundi të manovrojë, del jashtë rrugës duke bërë disa rrotullime. U shkaktua vdekja e vetë shoferit dhe e studentit Albert Smoka. Është shkaktuar dhe plagosja e personave të tjerë.
Fillimisht të dëmtuarve u është dhënë ndihmë prej një reparti ushtarak aty afër e fshatarët përreth dhe janë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Himarës. Prej aty është kërkuar ndihmë e specializuar mjekësore në rreth.
Për t’iu ardhur në ndihmë të dëmtuarve rëndë, nga Tirana janë dërguar dy helikopterë: MJ-6=44 i drejtuar nga komandanti Vangjel Postoli, piloti Tafil Agaj dhe teknik mekaniku, Pandeli Xhumba, dhe MJ-6-50 i drejtuar nga komandanti Agron Galanxhi, piloti Veledin Resuli dhe teknik mekaniku, Enver Haka. Në bordin e tyre kishin edhe ekipin e mjekëve të spitalit nr. 2 në Tiranë, të përbërë nga Agim Qarri, Kujtim Hysi, Dionis Makuçi, Zana Floqi si dhe ndihmësmjekja Dhurata Leka.
Në orën 16:00 kanë mbërritur në qytetin e Himarës ku janë pritur nga personeli i shërbimit shëndetësor të këtij qyteti, nga komandanti dhe komisari i brigadës së Himarës dhe komisari i brigadës së nëndetëseve. Ekipi mjekësor i Tiranës ka konkluduar që (për të plagosurit) të veçoheshin ata që ishin në gjendje shumë të rëndë dhe që u duhej dhënë ndihma mjekësore në Tiranë.
Fillimisht pilotët kanë diskutuar me njëri-tjetrin për vështirësitë e kthimit, pasi po errësohej dhe koha kishte mjegull të dendur, e cila ishte e rrezikshme për një udhëtim normal. Pasi kanë mësuar keqësimin e gjendjes së tre të plagosurve, kanë vendosur të fluturojnë për në Tiranë. Kanë hedhur në hartë rrugë-kalimin e kthimit, që do të bëhej gjatë bregut të detit për të dalë te ishulli i Sazanit e më tej në Tiranë. Pastaj dhanë urdhër që të tetë të plagosurit më rëndë të bëheshin gati për fluturim. Në helikopterin e parë me ekuipazh, të drejtuar nga oficeri Agron Galanxhi, kanë hipur të dëmtuarit Thoma Plasa, Ilirjana Brahimi, Taip Llaçi, Xhelal Ndreu të shoqëruar nga mjekët Agim Qarri dhe Dionis Makoçi. Në helikopterin e dytë të drejtuar nga oficeri Vangjel Postoli kanë hipur të dëmtuarit Misto Shumeli, Elida Hyseni, Donika Ferra, Zef Suli të shoqëruar nga personeli mjekësor me mjekët Kujtim Hysi, Zana Floqi, Dhurata Leka si dhe nga mjeku Nafail Metollari dhe ndihmësmjeku Piro Kuko të qytetit të Himarës.
Në orën 18:20 është nisur për fluturim helikopteri i drejtuar nga Agron Galanxhi, duke marrë drejtimin e bregut të detit. Pas tre minutash është ngritur për fluturim helikopteri i drejtuar nga Vangjel Postoli, i cili fillimisht mori drejtimin për nga Saranda, pastaj kthehet dhe merr drejtimin e fshatit Vuno, duke bërë një fluturim të çorientuar, ndryshe nga kursi i kthimit. Rreth orës 19:00 është përplasur me malin mbi Vuno, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave që ishin në të si dhe shkatërrimin e plotë të helikopterit. Po rreth kësaj ore, nga një repart ushtarak në afërsi të Llogarasë është dëgjuar një e përplasur e fortë në shpatin e malit, e shoqëruar me një flakë të madhe. Nga kërkimet e bëra pas 14 orëve, në datën 23.11.1989, në këtë vend u gjetën helikopteri i shkatërruar plotësisht dhe të gjithë personat që ishin në të, të vdekur.
Nga përplasja e tyre gjetën vdekjen 21 persona dhe u shkaktua një dëm material 11.267.120 lekë.”