Sjelljet e çuditëshme të diktatorëve Etja për pushtet nuk shuhet lehtë. E kjo provohet po t’i hedhësh një vështrim historisë së njerëzimit, ku në qindra vjet, popullata të ndryshme kanë vuajtur mbi shpinën e tyre dorën e hekurt, ku e ku më gjakatare, që nga Lindja e Largët e deri në Amerikën Latine.
The Dictator (Diktatori), komedia e fundit e Sacha Baron Cohen, vë në lojë veset, fiksimet dhe idiotësinë e një dikatori të një vendi në veri të Afrikës, i cili jeton në një kompleks luksoz i rrethuar nga truproje femra.
Në film përshkruhet me sarkazëm e nota të tjera komike admirali Aladin (emri merr shkas nga tregimi arab, Llampa e Aladinit), një figurë që duket qartazi e frymëzuar nga diktatorë si Muammar Gaddafi, i ekzekutuar pas protestave masive të popullit në Libi.
Shumë filozofë dhe psikologë janë mundur të krijojnë një identikit të diktatorëve, ç’i shtyn ata drejt shtypjes, dhunës e vrasjeve? Apo të tjera pyetje, si pse sjelljet e tyre janë “të çuditshme” për syrin e masës? Çfarë i shtyn ata t’i kryejnë këto veprime?
Fred Coolidge, profesor psikologjie në Universitetin e Kolorados në Shtetet e Bashkuara, ai që ka profilizuar diktatorë “me emër”, që nga Kim Jong-Il, që ndërroi jetë dhjetorin e kaluar, tek Saddam Hussein e Adolf Hitler, thotë se diktatorët, që nga lashtësia, në dukje kanë një vetë-besim të madh, duke arritur deri në atë pikë sa të besojnë edhe vetë që “çfarëdo që ata bëjnë, është ajo e duhura”.
“Shumë dikatorë vuajnë nga ajo që në psikologji quhet personalitet i dyfishtë, nga narcizmi, paranoja dhe sadizmi”, thotë Coolidge.
Caligula – Një ndër dikatorët më të hershëm të njerëzimit, perandori romak i njohur për gjaknxehtësinë dhe sjelljen e çuditshme. “Kryevepra” e tij mbetet “emërimi konsull i kalit të tij. Pas fitores së vështirë të një beteje, urdhëroi prerjen e kokave të të gjithë viktimave kundërshtare, edhe pse ishin të vdekur. Tjetër “tekë” e tij, është edhe vendosja pjesës më të madhe të flotës detare romake në ngushticën mes Siçilisë dhe Italisë kontinentale, me anijet njëra pas tjetrës në mënyrë që të kryente në këmbë të gjithë rrugën.
Francois “Papa Doc” Duvalier – Diktatori që udhëhoqi për 14 vite me radhë Haitin vuante thellësisht nga paranoja, është shembulli tipik i saj. Ai pretendonte se mbrohej nga shpirtërat. Aq larg shkoi, saqë pretendonte se “ishte fuqia e tij” ajo që vrau presidentin amerikan, John Kennedy më 22 nëntor të vitit 1963 dhe si supersticioz i madh, cdo datë 22 të cdo muaji pas vrasjes së JFK, largohej nga pallati presidencial, për t’u shpëtuar shpirtërave. Pjesë e paranojës së tij ishte edhe urdhëri për ekzekutimin e të gjithë qenve të zinj në vend, pasi “sillnin ters”.
Idi Amin – Udhëheqësi ushtarak i Ugandës në vitet ’70, i bërë i famshëm për titujt që i dha vetes, si “Pushtuesi i Britanisë së Madhe” dhe “Mbreti i Skocisë”, por nuk mbeten më pas edhe medaljet si “marshall” dhe “Kryqi Viktoria”. Ai ishte “i fiksuar për ta vendosur veten në të njëjtën lartësi pushteti, herë edhe më superiore se Mbretëresha Elisabet II. Megjithëse nuk ka prova, mendohet se mbante në frigorifer si “trofe” kokat e kundërshtarëve politikë. Kishte pesë gra, dhjetra fëmijë dhe këmbëngulte që të thërritej “Ati i Madh”.
Saparmurat Niyazov – Diktatori i Turkmenistanit, i përjetësuar në një statujë 15 metër të lartë, e gjitha në ar dhe e ndërtuar në mënyrë të tillë që gjatë gjithë ditës, vështrimi të jetë përballë me diellin. Në kohën kur pjesa më e madhe e popullsisë mezi siguronte bukën e gojës, ai ndërtoi një pallat të akullt në kryeqytet dhe një liqen në mes të shkretëtirës. Emrin e tij në vend, mbajnë disa qytete, parqe natyrore, muaji Janar, madje edhe një meteorit. Shquhet për urdhërat dhe ligjet “ekstravagante”. Pasi la vetë cigaren në vitin 1997, urdhëroi të gjithë ministrat e qeverisë së tij të bënin të njëjtën gjë, ndaloi gjithashtu operan, baletin dhe flokët e gjata për meshkujt. Shkroi një libër mbi identitetin e popullit të Turkmenistanit, që u bë i detyrueshëm nëpër shkolla.
Kim Jong-il – Lideri koreano-verior që ndërroi jetë në fund të 2011-ës. Kultivoi mitin e udhëheqësit aq shumë sa koreano-veriorët besojnë verbërisht se ‘kur ai lindi, një yll i ri u shfaq në qiell, një super ylber, e kur ai vdiq, një liqen i akullt u nda’. Në median shtetërore në Penian kanë qarkulluar lajme të tilla si; ‘Në herën e parë që luajti bouling, lideri Kim Jong-il, regjistroi rezultatin maksimal’, apo të tjera si; ‘lideri shënoi në goditjen e parë në golf’.
Kim Jong-il përshkruhet si një person që pëlqente mjaft kinemanë, sidomos Hollywood-in, pavarësisht se Amerika ishte armikaj numër një e tij. Arriti deri atje sa të punësojë një producent koreano-jugor me bashkëshorten e tij për të xhiruar filma për të. Më vonë, cifti i artistëve u mbajt peng e u urdhërua të xhironte filma për të, deri në momentin kur mundën të arratiseshin.